KMDLNJ për takimin në Bruksel: Borelli e Lajçaku u rreshtuan në anën e Serbisë.
Pas dështimit të djeshëm të arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirve të Njeriut, që sipas tyre ishte i qartë qëndrimi i njëanshëm i zyrtarëve evropian.
Sipas KMDLNJ-së, ndërmjetësimi i zyrtarëve evropian, Josep Borell dhe Lajçak nuk ishte aspak i pavarur dhe si i tillë, ata u rreshtuan në anën e Serbisë.
“Marrëveshja për targa midis Kosovës dhe Serbisë nuk përfundoi siç pritej për faktin se kushtëzohej me një kërkesë të papranueshme dhe jonormale për një shtet sovran dhe të pavarur. Ndërmjetësi aspak i pavarur, Joseph Borrell dhe i rreshtuar në mbrojtje të interesit të Serbisë, bashkë me Lajçak, që nga fillimi i “ndërmjetësimit“ deklaroi se Vuçiqi qenka treguar konstruktiv.
“Ku qëndroka konstruktiviteti i Vuçiqit dhe i Serbisë, sipas Borrellit? Vuçiqi paska pranuar që Serbia mos t’i pajisë serbët e Kosovës me targa ilegale KM, PSH, UR, GNJ etj. e që paraqet nonsense në marrëdhëniet midis dy shteteve të pavarura për faktin se ky veprim i deritashëm i Serbisë paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti e që ishte lejuar deri më tani sikur që BE edhe tash, përmes “negociuesve të pavarur“ e përligj këtë gjendje”, deklaroi KMLDNJ.
Sipas tyre, çështja e targave nuk mund të konsiderohet si çështje që ka të bëjë me integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti të pavarur dhe sovran.
“Në rastin konkret, Serbia por edhe BE –e çështjen e targave e kanë shfrytëzuar për të krijuar tensione dhe për ta ruajtur praninë e Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të serbëve të veriut të Kosovës në ndërkohë që serbët në pjesët tjera të Kosovës i përdorin targat që i përdorin të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës,” thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Sipas këtij Këshilli, të drejtat e serbëve në Kosovë ishin gjithmonë të favorizuara madje gëzojnë të drejta përtej atyre që parashihen me dokumente ndërkombëtare dhe kombëtare.
Tutje në këtë reagim thuhet se Kosova sidomos në 10 vitet e fundit nuk qëndron asgjë më keq se Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për të mos përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe si e tillë duhet të ecet më tutje.