NATO për situatën në veri: Të gatshëm për ta zbatuar mandatin që na ka dhënë OKB-ja në Kosovë.
Situata në veri, ka ngjallur reagime të shumta përfshirë këtu edhe atë të NATO-s.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një shkrimi në Twitter, është shprehur se dënojnë fuqishëm sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it.
“Ne i bashkohemi aleatëve të NATO-s dhe BE-së për të dënuar fuqishëm sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it, mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Lungescu.
Po ashtu, edhe në një postim tjetër u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese.
“Misioni ynë i KFOR-it mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të gatshëm për ta zbatuar mandatin që ia ka dhënë OKB-ja në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin”, u shpreh ajo.