Reagon PDK: Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve

19:07 | 23 Qershor 2022

PDK nuk është e kënaqur me deputetët e pozitës që sot votuan kundër tërheqjes së mjeteve nga trusti.

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit për mos kalim të Projektligjin për Trustin, projektligj ky që u kundërshtua nga 57 deputetë të pozitës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, nga PDK thonë se deputetët e pushtetit aktual, nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, sot dëshmuan që nuk janë të gatshëm t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve, duke i quajtur “shërbyes të kryeministrit”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit.”
Tutje, nga PDK thonë se ky projektligj, i iniciuar pikërisht nga ta, është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Kritika pati edhe për kryeministin Kurti dhe për qeverinë që ai drejton, duke e quajtur si jokompetente dhe pa vizion, përcjell tutje Reporteri.net.

“Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre. Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.”

Krejt në fund, u vë në pah edhe fakti i krizës së çmimeve, me ç’rast PDK ka shprehur se do të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat e tyre si dhe do të vazhdojë të kërkojë llogari për vendimet e Qeverisë.

Ndryshe, sot në seancë ka dalë në votim Projektligji për Trustin. 57 deputetë ishin kundër këtij projektligji, 44 deputetë pro, ndërsa 1 abstenoi.

Komento: