
Drejtuesit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, kanë reaguar publikisht ndaj, siç thuhet, disa informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në opinion, duke sqaruar se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale.
Sipas reagimit, ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur për aktivitetet e saj edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve. Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një qasjeje të përgjithshme, neutrale dhe edukative.
Gjatë ligjëratës, procedurat dhe funksionimi i gjykatave janë trajtuar në mënyrë informative, pa përmbajtje politike apo qëndrime të njëanshme. Shkolla thekson se çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar. Po ashtu, bëhet e ditur se YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla të mesme dhe fakultete në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.
Në reagim sqarohet se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në dhënien e pëlqimit për mbajtjen e kësaj ligjërate, ndërsa autorizimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH). Në fund, drejtuesit e shkollës riafirmojnë përkushtimin ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik, duke bërë thirrje që për informacione shtesë palët e interesuara t’i drejtohen drejtpërdrejt organizatës përkatëse./Telegrafi.