
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës (ShPRK) i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli, drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt.
Pacolli, kishte thënë se Isufaj ka gisht në grafitet anonime që u shfaqën nëpër kryeqytet për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, në të cilat thuhej: “Albin, dorëzohu në Prokurori”.
Për deklaratat e Pacollit, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ka thënë se cenon besimin në drejtësi.
“Shoqata thekson se shkrime dhe deklarata të tilla janë të pavërteta dhe të pabazuara, dhe cenojnë integritetin e sistemit prokurorial si dhe besimin e qytetarëve në drejtësi”.
“Shoqata nënvizon se çdo tentim për të vënë në shënjestër prokurorët përmes deklaratave politike është sulm ndaj pavarësisë së institucionit të Prokurorisë dhe, si i tillë, është i papranueshëm”, , citon RTK të ketë thënë ShPRK.
Klan Kosova sot ka raportuar për grafitet në fjalë, të cilat ende nuk dihet se kush e kur i realizoi.
Poashtu, Klan Kosova ka provuar ta kontaktojë edhe vetë Isufajn për deklaratën e Pacollit, megjithatë kjo ka qenë e pamundur pasditen e së premtes.
Mirëpo, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, tha se ky institucion nuk komenton deklarimet politike.
Grafitët në kryeqytet për Albin Kurtin – Fitore Pacolli akuzon Blerim Isufajn