Reagon Sveçla: Kurrë s’ishte i mbyllur kufiri me Shqipërinë, kishte kufizim në qarkullim

16:20 | 07 Qershor 2020

Ish-udhëheqësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ishte i mbyllur kurrë gjatë qeverisë Kurti.

“Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufirare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Anëtari i VV’së ka thënë po ashtu se kufiri me Serbinë gjatë qeverisë Kurti secili automjet e kamion kishte dokumentacion me emërtimin zyrtar Republika e Kosovës.

Ja postimi i plotë:

Diktatorët, nga Hitleri te Stalini, kanë pasur një parim kryesor në propagandën e tyre: “Akuzoji kundërshtarët e tu për atë çka ti vetë bën”.

Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentat “Kosovo i Metohija”.

Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush.

Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufirare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me ate të Shqipërisë. Përkundrazi.
Pikërisht gjatë qeverisjes sonë u arrit që secili automjet e kamion që vinte nga Serbia të kishte dokumentacionin me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, gjë që e ka mëzitur shumë Vuçiqin prandaj i angazhoi shërbëtorët për ta rikthyer situatën aty ku ishte para qeverisë Kurti.

Unë e kuptoj sikletin e partive humbëse, të cilat duan me çdo kusht ta sulmojnë LVV që është Qeveria Alternative e vetme që ka pasur Kosova, mirëpo besoj se një minimum etike duhet të ketë.

Apo po kërkoj shumë?

Komento: