Reagon Veliu: Anton Quni nuk mund të bëjë propozime në emër të LDK-së

17:21 | 25 Mars 2020

Anton Quni i propozoi kryeministrit, Albin Kurtit që nëse gjatë pauzës së seancës e rikthen në pozitë Agim Veliun dhe reflekton për taksën, LDK e tërheq mocionin.

Kurse, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka deklaruar se Ministri Anton Quni nuk është i autorizuar që t’i ofrojë mundësi Kryeministrit Kurti në emër të LDK-së.

Sipas Veliut, shkarkimi i të cilit nga pozita e Ministrit të Brendshëm, u bë shkak i inicimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë, Qeveria e Albin Kurtit duhet shkarkuar pasi thotë se është e rrezikshme për vendin.

Këto deklarime ish-ministri Veliu i ka bërë në emisionin ‘Frontal’ në T7.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni në fjalën e tij në seancën e mocionit të mosbesimit e ka lutur kryeministrin Kurti që të ndryshojë mendje lidhur me shkarkimin e Agim Veliut brenda një ore pauzë në mënyrë që të mos rrëzohet qeveria.

Anton Quni ka thënë se nëse Kryeministri Kurti e rivlerëson edhe njëherë kërkesën e kryetarit Mustafa për kthimin e Agim Veliut në detyrë atëherë ai do të bisedojë me deputetët dhe kryetarin e LDK-së, për tërheqjen e mocionit.

Komento: