AGK reagon pasi kameramani kosovar u sulmua në Veri nga një grup serbësh.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka dënuar sulmin ndaj kameramanit të portalit “Insajderi”, Jetmir Muji.
Sulmi ka ndodhur në Veriun e Kosovës, kur Muji teksa po kryente punën e tij është sulmuar nga një grup i serbëve lokalë.
“Sipas kësaj medie, Muji bashkë me gazetarin, Visar Duriqi, kanë qenë në veri për të përgatitur një emision, kur kanë parë futjen në veturë të një të riu nga disa persona. Kur Muji e ka xhiruar ngjarjen, ai është sulmuar nga këta persona, dhe ka përfunduar në Emergjencën e Spitalit në jug të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
“AGK-ja shpreh shqetësim dhe tronditje me sulmin, njëherësh e fton Policinë e Kosovës, që ta hetojë me urgjencë rastin dhe t’i identifikojë personat përgjegjës”, përfundon njoftimi.
Nuk është hera e parë që gazetarët kosovarë kanë probleme të raportojnë nga Veriu i Kosovës.