Real Madridi kryen detyrën, fiton pastër ndaj Valencias.
Real Madridi është rikthyer te fitoret në elitën e futbollit spanjoll.
“Los Blancos” fituan pastër 2:0 në shtëpi ndaj Valencias në ndeshjen e mbetur të javës së 17-të në La Liga, shkruan Gazeta Express.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa një i tillë iu anulua Rudigerit për shkak se kishte ekzistuar një ndërhyrje e palejuar në proces.
Real Madridi e nisi furishëm pjesën e dytë të ndeshjes.
Ishte Asensio që realizoi një gol të jashtëzakonshëm në minutën e 52-të të ndeshjes.
Vetëm dy minuta më pas, Vinicius dyfishoi epërsinë e vendasve. Në të dy golat, Benzema ishte asistues.
Në minutën e 72-të, Gabriel Paulista i Valencias mori direkt karton të kuq, me ç’rast edhe ia humbi totalisht shpresat ekipit të tij për eventualisht një barazim nga kjo përballje.
Me këtë triumf, tani Real Madridi shkon në kuotën e 45 pikëve në vendin e dytë në tabelë, pesë më pak se Barcelona që prin.
Në anën tjetër, Valencia mbetet e 14-ta me gjithsej 20 pikë të grumbulluara deri më tani.