Real Madrid me vendim të papritur për Mourinhon

13:25 | 07 Mars 2019

Gjiganti spanjoll Real Madridi, në bisedime me agjentin e Jose Mourinhos.

Drejtuesit e Real Madridit e kanë kontaktuar agjentin e Jose Mourinhos, Jorge Mendesin. Plani i madrilenëve është ta shkarkojë Santiago Solarit dhe ta emërojë Mourinhon në pozitën e trajnerit, para ndeshjes të së shtunës, kundër Valladolidit.

Real Madridi ka filluar të bëhet gati për kthimin e Mourinhos. Dje, klubi e kontaktoi agjentin Mendes, me synimin për ta emëruar menjëherë portugez, për herë të dytë, në pozitën e trajnerit të “Los Blancos”, shkruan AS, transmeton Gazeta Express.

56-vjeçari kishte qenë trajner i Real Madridit gjatë viteve 2010-2013. Klubi së pari duhet ta bindë Mourinhon për t’u kthyer, gjë e cila nuk do të jetë e lehtë për shkak të situatës aktuale në Santiago Bernabeu.

Lidhja e tij me lojtarët aktual të Real Madridit, shtatë prej të cilëve kishin qenë në skuadër edhe gjatë kohës së portugezit në Madrid, dhe me disa anëtare të bordit drejtues po bën që Mourinho mos ta pranojë lehtësisht ofertën për t’u kthyer në klubin madrilen.

Sot do të jetë një ditë e rëndësishme sa i përket këtij aspekti, pasi që Real Madridi është duke punuar kundër kohës. Plani i Florentino Perezit është ta shkarkojë Solarin dhe ta marrë Mourinhon në kohë për ndeshjen kundër Real Valladolidit.

Megjithatë, Mourinho nuk opsioni i vetëm për këtë pozitë, pasi që një tjetër favorit është edhe ish-trajneri tjetër i “Los Blancos”, Zinedine Zidane. Por, francezi besohet se nuk dëshiron të kthehet në këtë moment.

E ardhmja e Santiago Solarit në pozitën e trajnerit të Real Madridit është në rrezik, pas tri goditjeve të rënda brenda shtatë ditëve, në Kupën e Mbretit, La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Trajneri argjentinas u emërua në këtë pozitë katër muaj më parë, pas shkarkimit të Julen Lopeteguit.

Lopetegui ishte emëruar në pozitën e trajnerit gjatë verës, pas largimit të Zinedine Zidane. Francezi u largua nga klubi në të njëjtën kohë me Cristiano Ronaldon, i cili u transferua për 112 milionë euro në Juventus.

Komento: