Duket se është arritur marrëveshja e madhe mes skuadrës së Real Madridit dhe Paul Pogbës.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka folur personalisht me mesfushorin e Manchester Unitedit, Paul Pogbën, për t’i treguar atij se në Madrid do të ishte njëri ndër futbollistët më të rëndësishëm në skuadër.
Për më tepër, mediat spanjolle raportojnë se mesfushori francez i dha Zidanit përgjigje pozitive dhe ata e arritën një marrëveshje mes vete dhe tani gjithçka varet nga negociatat mes Florentino Perezit dhe drejtuesve të Manchester Unitedit.
Trajneri francez kishte tentuar ta transferojë Pogbën edhe në vitin 2016, mirëpo francezi preferoi të kthehej në Old Trafford. Manchester Unitedi dhe Juventusi arritën marrëveshje për 105 milionë euro.
Edhe pse është i lumtur në Manchester United, Pogba dëshiron të largohet. Megjithatë, “Los Blancos” do ta kenë shumë të vështirë ta transferojnë francezin nëse “Djajtë e kuq” nuk pranojnë kompromise.
Për momentin, drejtorët e Manchester Unitedit insistojnë se Pogba nuk është për shitje, pavarësisht ofertës, për shkak të formës së mirë që ai ka treguar gjatë kohës së fundit, që kur Ole Gunnar Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit.
E përditshmja angleze, The Sun, raporton se Real Madridi është i gatshëm t’i ofrojë deri në 145 milionë euro për Pogbën, i cili dëshiron t’i fitojë të paktën 16 milionë euro në vet, që do ta bënte atë lojtarin me pagën më të lartë në Santiago Bernabeu.