Real Madridi synon transferimin e yllit të Interit, i cili do të mbetet lojtar i lirë në vitin e ardhshëm.
Real Madridi raportohet se ka shprehur interesim për mbrojtësin e Interit, Milan Skriniar.
Reprezentuesi sllovak ishte i lidhur me një largim nga “Guiseppe Meazza” në afatin kalimtar të verës, me Paris Saint-Germainin që kërkonte me ngulm transferimin e tij – transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, klubi francez nuk ia doli të kompletonte transferimin e tij dhe ai vazhdon të jetë pjesë e Interit.
“Football Insider” ka raportuar se për Skriniarin tashmë në garë është edhe Real Madridi.
27-vjeçari ka kontratë të vlefshme me Interin deri më 30 qershor 2023. Kjo e lejon atë që të negociojë me klubet tjera që nga janari.
Në rast se nuk ka rinovim të kontratës me “Nerazzurrët”, atëherë Skriniar në verën e vitit 2023 mund t’i bashkohet një klubi tjetër si futbollist i lirë.
Kësisoj, “Los Blancos” thuhet se po synojnë që të arrijnë marrëveshje me ish-mbrojtësin e Sampdorias në janar të vitit të ardhshëm.
Mbetet të shihet nëse Real Madridi do të sigurojë shërbimet e Milan Skrinarit, pasi besohet se edhe Paris Saint-Germaini nuk ka hequr dorë nga ai.