Reali arrin fitore të madhe ndaj Valladolidit

22:55 | 10 March 2019

Ekipi madrilien i Solarit ka shënuar një fitore të rëndësishme.

Reali i Madridit duhej të reagonte pas turpit në Champions League dhe e ka bërë, duke fituar 4-1 në Valladolid, në një ndeshje të çmendur.

Në gjysmë orën e parë të ndeshjes një Real i shthurur mund të pësonte më shumë se një gol, por dy herë VAR anuloi golat vendas, ndërsa në minutën e 12-të Ruben Alkaraz çoi në parking një penallti.

Në minutën e 29-të erdhi goli i Valladolidit, me Tuhamin që bëri të niste festa vendase, por Varane 5 minuta më vonë zgjoi Realin.

Në pjesën e dytë Reali ishte superior dhe mbi të gjitha gjeti Benzema, i cili në minutat 51 e 59 shënoi 2 gola që e ngjitin në kuotën 22 këtë sezon.

Gjithçka e thjeshtë më pas dhe Luka Modriq shtoi edhe një gol, me madrilenët që të paktën duken të sigurt në vendin e tretë në La Liga.

Komento: