Reduktimet e rrymës në Fushë Kosovë e Suharekë, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.
Nëpërmjet një njoftimi për media, KEDS ka treguar arsyet për këto mungesa, të cilat thuhet të kenë qenë të njoftuara paraprakisht.
“Siç i kemi njoftuar mediat në detaje paraprakisht, ndalesa në Suharekë është bërë për shkak të punimeve të KOSTT’it, pra me kërkesë të kësaj kompanie, ndërsa në Fushë Kosovë është dashur domosdoshmërisht të vendoset një transformator shtesë në asetet e tensionit të lartë”, thuhet në njoftim.
“Kjo ka ndodhur për shkak të kapaciteteve të reduktuara të KOSTT’it, të krijuara edhe nga rritja e shpejtë e rezidentëve në këtë komunë. KEDS e ka zgjidhur problemin e mbingarkesave me shtimin e transformatorëve nga dy në tre, por tejkalimi komplet i mbingarkesave ka të bëjë me shtimin e kapaciteteve të transmisionit, që nuk janë kompetencë e jona.
Ndërkohë, gjatë punimeve në Suharekë të bëra nga KOSTT, KEDS e ka shfrytëzuar këtë hapësirë për të shpërndarë ngarkesën në mes të transformatorëve në mënyrë që të zgjidhet çështja e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e asaj komune. Ndryshe, do të ishte e pamundur që KOSTT-i të furnizonte të gjitha daljet”, thuhet tutje.