Van Dijk zbulon përse i refuzoi Chelsean dhe Man Cityn për Liverpoolin.
Virgil van Dijk ka zbuluar se Jurgen Klopp ka qenë arsyeja kryesore dhe e vetme përse ai vendosi t’i bashkohet Liverpoolit dhe jo Chelseat apo Manchester Cityt.
Qendërmbrojtësi holandez e la Southamptonin për Liverpoolin në janar të vitit 2018 për një shumë të lartë prej 83 milionë euro, e cila ishte rekorde për një mbrojtës në atë kohë.
Por ka pasur edhe të tjerë të interesuar për shërbimet e Van Dijk, veçanërisht City dhe Chelsea, por 28-vjeçari e kishte mendjen veç tek të kuqtë për shkak të Kloppit, i cili e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të parë në Premierligë këtë sezon.
“Kisha mundësi të shkoja në Chelsea dhe Man City”, tha Van Dijk.
“Kur i krahason klubet, ua shikon historinë, qytetin, skuadrën e tanishme, planet për të ardhmen, por gjëja më e rëndësishme të cilën e shikon është trajneri – dhe Jurgen Klopp është arsye e rëndësishme përse unë e zgjodha Liverpoolin”, zbuloi ai.
“Klopp ka diçka të veçantë. A është energjia e tij? A është imazhi i tij i përgjithshëm? Nganjëherë ulem dhe mendoj për gjërat që i bën ai dhe çfarë ka ai më shumë se të tjerët. Mendoj se është mënyra sesi merret me lojtarët. Sot kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në futboll”, shtoi ai.