Refuzojnë avokatin e popullit, dhomat e Specializuara nuk marrin pjesë në tryezën për Gjykatën Speciale

08:48 | 14 Tetor 2026

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë ftesën e Avokatit të Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, për pjesëmarrje në një tryezë ku do të diskutoheshin gjetjet dhe rekomandimet e këtij institucioni lidhur me Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Dhomat e Specializuara rikujtojnë se neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ia njeh pa asnjë paqartësi Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara “përgjegjësinë ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”. Dhomat e Specializuara i referohen ftesës së pranuar për pjesëmarrje në një tryezë të organizuar nga Avokati i Popullit në Kosovë, z. Naim Qelaj, me temën “Gjetjet dhe rekomandimet ex officio të institucionit të tij lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”. Dhomat e Specializuara dëshirojnë të bëjnë të ditur se do të ishte e papërshtatshme që ta pranonin këtë ftesë”, thuhet në njoftimin e fundit të tyre.

Në komunikatë thanë se kanë vlerësuar se do të ishte e papërshtatshme që ta pranonin këtë ftesë, pasi sipas tyre përgjegjësia për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këtë institucion i takon ekskluzivisht Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera.

Komento: