Rekordi negativ i Milanit në Ligën e Kampionëve

17:36 | 26 October 2023

Milani i rekordeve negative, pesë ndeshje pa shënuar gol në Champions.

Milani është duke e kaluar një periudhë të rëndë në garat evropiane.

“Rossoneri” arritën deri në gjysmëfinale në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve, ndërsa në sezonin 2023/24 ata synonin ta përsërisnin atë të kaluar.

Por, Kuqezinjve po iu shkojnë si është më së keqi punët, shkruan Gazeta Express.

Ata u mposhtën mbrëmë nga Paris Saint-Germaini me rezultat 0:3 në stadiumin Parku i Princave” në Paris duke përfunduar në pozitën e fundit në grup.

Paraprakisht, ekipi i Stefano Piolit kishte barazuar pa gola, 0:0 në dy ndeshjet që i kishte luajtur, me Newcastle United në shtëpi dhe me Borussia Dortmundin në udhëtim.

Kjo i bie që Milani nuk ka shënuar gol në tri ndeshjet e para të fazës së grupeve të këtij sezoni.

Por, jo vetëm kaq.
Olivier Giroud me shokë nuk kishin realizuar gola as në dy ndeshjet gjysmëfinale me rivalin lokal dhe të përbetuar, Inter, nga i cili ishin eliminuar pas rezultatit të përgjithshëm prej 0:3.

Kjo nënkupton se Milani nuk e ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshjet e fundit të Championsit.

Sipas statistikave, “Rossoneri” bëhen ekipi i parë italian që e regjistrojnë këtë shifër negative.

Milani i pësoi dy humbje radhazi brenda pak ditësh pasi në fundjavë u mposht nga Juventusi në shtëpi, 0:1.

Komento: