REL: Arrihet “kompromisi” për vizat për Kosovën, vendimi hyn në fuqi më 1 nëntor 2023

15:26 | 10 November 2022

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç raporton Radio Evropa e Lirë referuar burimeve diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Komento: