
Gjatë vitit 2024, remitencat e diasporës kanë vijuar të jenë një burim kyç financiar për vendet e Ballkanit, duke u llogaritur në miliarda euro dhe duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë kombëtare.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se shumë vende të rajonit mbeten të varura nga paratë e dërguara nga mërgimtarët, si për konsumin familjar ashtu edhe për stabilitetin ekonomik. Në mesin e vendeve të rajonit, Kroacia renditet ndër të parat për nga vlera absolute e remitencave, me rreth 2.27 miliardë euro të dërguara gjatë vitit të kaluar, që përfaqësojnë rreth 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Bosnje dhe Hercegovina vijon të mbetet ndër ekonomitë më të varura nga remitencat, me rreth 1.99 miliardë euro nga diaspora, ose 7.6 për qind të PBB-së. Shqipëria ka përfituar rreth 1.28 miliardë euro nga emigrantët e saj gjatë vitit 2024, një shumë që llogaritet në rreth 5.1 për qind të ekonomisë kombëtare. Ndërkohë, Kosova shënon nivelin më të lartë të varësisë nga remitencat në rajon, me rreth 1.32 miliardë euro të dërguara nga diaspora, që përfaqësojnë afërsisht 12.7 për qind të PBB-së.
Në fund të listës qëndrojnë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Mali i Zi ka regjistruar rreth 345 milionë euro remitenca, ose 4.5 për qind të PBB-së, ndërsa Maqedonia e Veriut rreth 310 milionë euro, që përbëjnë rreth 2 për qind të ekonomisë së saj. Ekspertët theksojnë se remitencat mbeten jetike për mbulimin e shpenzimeve bazë, ruajtjen e stabilitetit social dhe mbështetjen e ekonomive familjare në rajon, megjithëse ndikimi i tyre afatgjatë në zhvillimin ekonomik varet nga orientimi i këtyre mjeteve drejt investimeve prodhuese dhe qëndrueshmërisë ekonomike./Telegrafi/
