Rëndohet situata, afro 300 pacientë me koronavirus po trajtohen në spitalet kosovare

16:32 | 27 Tetor 2020

Afro 300 pacientë të dyshuar për COVID-19 po trajtohen në spitalet kosovare.

Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës 272 persona janë në trajtim mjekësor si të dyshuar për COVID-19. Nga ta, 171 persona tashmë janë të konfirmuar me koronavirus dhe janë të shtrirë në Klinika.

Nga kjo shifër, tetë pacientë janë në respirator, 20 të tjerë në CPAP si dhe 169 pacientë gjenden në oksigjeno-terapi.
E Kosovës të martën i janë shtuar 197 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 1.018 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar tri viktima.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të martën janë regjistruar edhe 48 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 2.478.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 18.345 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre 669 pacientë kanë vdekur.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë kërkuar nga qytetarët që të kenë më shumë disiplinë në respektimin e masave kundër COVID-19, që të përjashtohet mundësia e karantinës.

Komento: