Koronavirusi ka filluar të shfaqet agresiv edhe në Gjermani.
Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se 3,609 raste të reja të koronavirusit janë shënuar në Gjermani gjatë 24 orëve të kaluara.
Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar me virusin e ri në shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë shkoi në 137,439.
Shifra e re shënon ditën e katërt me radhë të rritjes së numrit të rasteve të reja për periudhën njëditore pasi më parë ishte shënuar rënie e ndjeshme, që kishte sjellë shpresë për përmirësimin e situatës.
Përpos infektimeve, në Gjermani gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan edhe 242 viktima të reja të virusit dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 4,110 persona, shkruan “The Guardian”, transmeton express.
Gjermania është një ndër shtetet me numrin më të madh të rasteve të koronavirusit në Evropë, por deri më tani ka regjistruar shumë më pak viktima se Italia, Spanja, Franca dhe Britania e Madhe.
Qeveria gjermane ka paralajmëruar se disa nga masat e izolimit mund të largohen nga 3 maji në mënyrë që të riaktivizohet një pjesë e ekonomisë.