Rënia e nivelit të lindjeve kufizon rritjen e popullsisë në Francë.
Më 1 janar, Franca tejkaloi numrin e 67 milionë banorëve, një rritje vjetore kjo prej 0,3 %, e kufizuar nga rënia e vazhdueshme e lindjes gjatë pesë viteve të fundit, njoftoi sot instituti statistikor “Insee”.
Në vitin 2019, në Francë pati 753 000 lindje (6 000 më pak se në vitin 2018) dhe 612 000 vdekje (2 000 më shumë), një bilanc pozitiv prej 141 000 njerëz, por në nivelin më të ulët historik të tij, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Rënia e numrit të lindjeve u konfirmua në vitin 2019: 6 000 më pak foshnje se në vitin 2018.
Rënie e nivelit të lindjeve shpjegohet pjesërisht me uljen e numrit të grave të moshës 20 deri në 40 vjeçe, por kryesisht me rënien e shkallës së pjellorisë, numrit të fëmijëve për grua, që mbeti në 1,87, në krahasim me 1,88 në vitin 2018.
Plakja e popullsisë vazhdon. Që nga 1 janari, më shumë se një në pesë persona në Francë (20,5 %) është 65 vjeç ose më i vjetër.