Vendi ynë ende po përballet me reduktime.
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se paraditen e së dielës në kaldajë të njësisë prodhuese A-3 janë shfaqur disa rrjedhje uji ku si pasojë është pamundësuar mbajtja në operim e saj.
Përmes njoftimit, KEK-u ka treguar se ekspertët janë duke dhënë maksimumin për të rikthyer njësinë në operim në një kohë optimale.
Sipas KEK-ut, aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së njësisë në mënyrë intensive ku më pas do të bëhet inspektimi.
“Sot rreth orës 10:00, në kaldajë të njësisë prodhuese A-3 janë shfaqur rrjedhje të ujit dhe si pasojë është pamundësuar mbajtja e kësaj njësie në operim. Ekspertët e KEK-ut janë duke dhënë maksimumin për ri kthimin e njësisë në operim në kohë optimale. Aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së njësisë në mënyrë intensive, pastaj do të bëhet inspektimi i cili pason me sanimin e rrjedhjes në kaldajë dhe përgatitjet për kthimin e kësaj njësie në operim”, thuhet në njoftim.