Rënia për 19 vende në indeksin e lirisë së mediave, Bajrami: Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se VV është kundër mediave

11:33 | 03 Maj 2024
renia-per-19-vende-ne-indeksin-e-lirise-se-mediave,-bajrami:-tashme-s’ka-askush-asnje-dyshim-se-vv-eshte-kunder-mediave

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se rënia e Kosovës për 19 vende më poshtë në indeksin e lirisë së mediave nga “Reporterët pa Kufij”, është alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë, raporton Express.

Sipas Bajramit, tashmë s’ka asnjë dyshim se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është kundër mediave.

“Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë. Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga “Reporterëve pa Kufij” është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.

Komento: