Albena Reshitaj ka kaluar tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Partia e kryeministrit në dorëheqje, AAK, ka mbledhur sot Këshillin Drejtues, ku edhe filluan përgatitjet e para për zgjedhje.
Duke folur për media, nënkryetari i partisë, Ardian Gjini tha se kanë vendosur për formatin e shtabit zgjedhor, e se nga sot ish-ministrja Albena Reshitaj është pjesë e AAK-së. Të njejtës në parti iu është dhënë posti i nënkryetares.
“Aleanca ka vendosur për formatin e shtabit zgjedhor, programin, shtabit në nivel qendror do t;i prijë Blerim Kucit. Në të njejtën kohë e kemi një lajm të mirë Albena Reshitaj është pjesë e AAK-së dhe me vendim të kryesisë është pjesë e kryesisë dhe nënkryetare. Në të njejtën kohë kemi dërguar mesazhe mobilizimi në të gjitha strukturat për përgatitje për zgjedhje që do të bëhen në fillim të vjeshtës.
Është vendosur që kryetar i kryesisë të jetë edhe Bajram Hasani, ish-ministri”, tha Gjini.
Ndërkaq, Ish-ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj ka thënë se është e nderuar që është pjesë e AAK-së.
“Sot kam bërë aderimin tim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ndihem e nderuar të jem pjesë e një shtëpie të madhe”, ka thënë ajo.
Reshitaj pas dorëheqjes nga posti i ministres së MMPH-së, ishte emëruar këshilltare e kryeministrit Haradinaj.