
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Prizrenit, ndërsa ekipet emergjente janë angazhuar vazhdimisht në terren për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, ekipet emergjente të kontraktuara nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë, kanë qenë të pranishme në zonat më të prekura, duke ofruar mbështetje me të gjitha kapacitetet në dispozicion.
Komuna ka bërë të ditur se angazhimi i ekipeve emergjente do të vazhdojë edhe më tej, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe mbështetjes së qytetarëve në vendbanimet më të prekura nga reshjet e rrëmbyeshme.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bëri të ditur se kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e vërshimeve të mëdha në këtë komunë.
Kastrati thekson se Komuna e Malishevës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, të cilat kanë shkaktuar shumë dëme dhe kanë shqetësuar qytetarët të cilët gjatë natës dhe ditës së sotme kanë përjetuar këto reshje.
Në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre. Edhe në disa komuna tjera të vendit gjendja është e rënduar nga vërshimet./KP