“Respekte vlla” – Granit Xhaka i bën nderimin e veçantë Valon Berishës pas pensionimit nga Kosova

23:23 | 04 Tetor 2026

Valon Berisha ka marrë një mesazh të veçantë nga Granit Xhaka pas pensionimit të tij nga Kombëtarja e Kosovës.

Mesfushori me prejardhje shqiptare ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke i uruar suksese Berishës pas ceremonisë së lamtumirës që iu bë para ndeshjes së Kosovës me Austrinë.

Berisha nuk arriti t’i përmbante emocionet gjatë ceremonisë në “Fadil Vokrri”, teksa u duartrokit nga tifozët kosovarë në një moment mjaft prekës.

Ai ishte ndër lojtarët e parë që iu bashkua Kosovës pas pranimit të saj në UEFA dhe FIFA, ndërsa në histori do të mbetet edhe si golashënuesi i parë i Kombëtares së Kosovës, me golin e famshëm ndaj Finlandës.

Në mesin e shumë reagimeve për Berishën ishte edhe ai i Granit Xhakës, i cili publikoi një fotografi të tij në “InstaStory” dhe i uroi suksese në vazhdim të karrierës.

“Respekte vlla”, shkroi Xhaka në postimin e tij.

Ndërkohë, Kosova e mbylli ndeshjen ndaj Austrisë me barazim 1-1, edhe pse Dardanët patën paraqitje të mirë dhe krijuan mundësi për ta fituar takimin.

Kosova kaloi në epërsi përmes Fisnik Asllanit, por Austria barazoi në fund të ndeshjes, duke marrë një pikë nga “Fadil Vokrri”.

Komento: