
Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me caktimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në plotësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.3/2025, të datës 30 nëntor 2025.
PZAP kishte pranuar ankesën e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kishte ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 26 nëntorit, i cili përcaktonte qendrat e votimit jashtë vendit. Me këtë vendim, PZAP përcaktoi që për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, qendrat e votimit jashtë Kosovës të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre.
LVV kishte kontestuar këtë vendim në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore dhe duke kërkuar që vendimi i PZAP-së të anulohej. Por pas shqyrtimit të dokumentacionit, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa e LVV-së ishte e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se vendosja e qendrave të votimit vetëm brenda përfaqësive diplomatike përbën një masë të nevojshme mbrojtëse për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor. Sipas vlerësimit të PZAP-së, të cilin e mbështet edhe Gjykata Supreme, kjo masë nuk paraqet pengesë për ushtrimin e të drejtës së votës nga shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por është në përputhje me kushtet ligjore të përcaktuara nga vetë Republika e Kosovës.
Kështu, vendimi i PZAP-së mbetet në fuqi, ndërsa votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të zhvillohet vetëm në misionet diplomatike të vendit.