Reuters: Lideri i ri suprem i Iranit ka plagë të rënda dhe shpërfytyruese

14:03 | 11 Prill 2026

Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ende po shërohet nga lëndime të rënda në fytyrë dhe këmbë, të marra gjatë sulmit ajror që vrau babanë e tij në fillim të luftës, kanë thënë për Reuters tre persona të afërt me rrethin e tij të brendshëm.

Sipas tyre, Khamenei ka pësuar deformime në fytyrë gjatë sulmit në kompleksin e udhëheqësit suprem në qendër të Teheranit dhe ka marrë lëndime serioze në njërën ose të dyja këmbët.

Megjithatë, 56-vjeçari po shërohet dhe mbetet mendërisht i kthjellët, kanë shtuar burimet që kërkuan anonimitet për të folur mbi çështje sensitive, raporton Reuters, transmeton Sinjali.

Ata thanë se ai po merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë përmes konferencave audio dhe është i përfshirë në vendimmarrje për çështje të mëdha, përfshirë luftën dhe negociatat me Uashingtonin.

Pyetja nëse gjendja e tij shëndetësore e lejon të drejtojë shtetin vjen në një periudhë tensioni të lartë për Iranin, ndërsa në Islamabad të Pakistanit kanë nisur bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara.

Sipas Reuters, nuk ka pasur foto, video apo regjistrime të tij publike që nga sulmi ajror dhe pas emërimit të tij si pasardhës i babait më 8 mars.

Misioni i Iranit në OKB nuk ka komentuar për shkallën e lëndimeve apo mungesën e paraqitjeve publike.

Khamenei është plagosur më 28 shkurt, ditën e parë të luftës, në një sulm që vrau edhe anëtarë të familjes së tij, përfshirë bashkëshorten, kunatin dhe kunatën, sipas raportimeve.

Nuk ka deklarata zyrtare iraniane për shkallën e lëndimeve, megjithatë një spiker i televizionit shtetëror e ka quajtur atë “janbaz”, term që përdoret për të plagosurit rëndë në luftë.

Sipas burimeve të Reuters, përputhje me një deklaratë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili më 13 mars tha se Khamenei ishte “i plagosur dhe ndoshta i deformuar”.

Një burim i inteligjencës amerikane i tha Reuters se Khamenei besohet të ketë humbur një këmbë, ndërsa CIA nuk ka komentuar për gjendjen e tij. As zyra e kryeministrit izraelit nuk ka dhënë përgjigje.

Analisti Alex Vatanka nga Middle East Institute tha se, pavarësisht seriozitetit të lëndimeve, është e vështirë që një udhëheqës i ri dhe pa përvojë të ushtrojë të njëjtin autoritet si babai i tij.

Komento: