
Situata rreth Kylian Mbappé te Real Madrid është tensionuar ndjeshëm pas humbjes së titullit kampion ndaj rivalit të përhershëm, FC Barcelona.
Sulmuesi francez po përballet me kritika të shumta nga tifozët madrilenë, të cilët po e fajësojnë për paraqitjet jo bindëse dhe mungesën e ndikimit në momentet vendimtare të sezonit. Në rrjetet sociale dhe mediat sportive spanjolle janë shtuar thirrjet për largimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës.
Një pjesë e madhe e tifozëve besojnë se skuadra ka funksionuar më mirë në ndeshjet ku Mbappe nuk ka qenë pjesë e formacionit, duke ngritur pikëpyetje mbi përshtatjen e tij në sistemin e lojës së madrilenëve.
Presioni mbi yllin francez është rritur edhe për shkak të pritshmërive të mëdha që shoqëruan ardhjen e tij në “Santiago Bernabéu”, ndërsa sezoni pa trofe të rëndësishëm ka shtuar pakënaqësinë në klub.
E ardhmja e Mbappesë te Real Madridi mbetet e paqartë, ndërsa merkatoja verore pritet të jetë vendimtare për vazhdimin ose jo të aventurës së tij në kryeqytetin spanjoll.