
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha në Akademinë Përkujtimore të organizuar në një vjetorin e vdekjes së gazetarit dhe themeluesit të Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online, Faton Osmani ka thënë se ai vdekja e tij ka goditur jo vetëm familjen por edhe komunitetin e gjerë gazetareske, por thekson që ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm dhe të prekshëm në fushën e medias, raporton Ekonomia Online.
“Ikja e tij e parakohshme në këtë ditë, para një viti, ka goditur jo vetëm familjen e tij të ngushtë, bashkëshorten dhe fëmijët, por edhe komunitetin e gjerë gazetaresk. Fatoni punoi dhe u angazhua në profesionin e shenjtë të gazetarisë për më shumë se dy dekada. Në këtë tubim të pranishëm janë miq e kolegë që kanë punuar me të në faza të ndryshme të rrugëtimit gazetaresk dhe do të ndajnë kujtimet për të. Fatoni ka dhënë kontribut të rëndësishëm dhe të prekshëm në fushën e medias, që nga Kosova Live e Gazeta Lajm e deri te realizimi i ëndrrës për krijimin e një Agjencie Lajmesh. Dhe këtë e bëri para 15 vjetësh, kur bashkë me Sevdën nisën “Ekonomia Online” — një agjenci lajmesh që do t’i përshtatej kohës dhe teknologjisë që avanconte, lajmit të shpejtë, por të konfirmuar dhe korrekt. Shumë shpejt, ky vizion dhe kjo punë e udhëhequr nga Fatoni e vendosën Ekonominë si lider të ofrimit të lajmeve dhe bashkëpunimit me mediat partnere; përveç Kosovës, ajo e kaloi edhe kufirin”, u shpreh Rexha.
Rexha nënvizoi se AGK është mirënjohës për kontributin e tij dhe të Ekonomia Online që mban lartë standardet e një pune që shpesh di të jetë e vështirë.
“Në këto vite, dhjetëra gazetarë dhe kameramanë kanë kaluar nëpër zyrat e Ekonomia Online, ku e kanë mësuar dhe e kanë kalitur profesionin tonë. Shumë prej tyre tani punojnë në media të tjera dhe mbajnë poste të rëndësishme, falë punës, përkushtimit dhe disiplinës në Ekonomi, të udhëhequr nga Fatoni. Kjo është diçka për të cilën familja dhe Agjencia duhet të ndihen krenare. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e njeh dhe është mirënjohës për kontributin e Fatonit dhe të Ekonomia Online për zhvillimin dhe mbajtjen lart të standardeve të një pune që shumë shpesh di të jetë e vështirë”, tha ai.