Rexhaj: Kosova për herë të parë blen armatim të mbrojtjes antitank

23:10 | 11 Janar 2024
rexhaj:-kosova-per-here-te-pare-blen-armatim-te-mbrojtjes-antitank

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Rexhaj, ka theksuar se për herë të parë në Kosovë bëhet blerja e armatimit të mbrojtjes tokësore.

Duke shprehur bindjen se ky hap është një përparim në sigurinë kombëtare, Rexhaj i ka dhënë notën 10-she kryeministrit Albin Kurti për rritjen e buxhetit për shkallën e mbrojtjes së shtetit.

“Për mua, Kurti e ka notën 10-tëshe në aspektin e sigurisë kombëtare të rendit dhe sigurisë kombëtare, të shtimit dhe kapacitetit të sigurisë”, ka deklaruar Rexhaj në Debat Plus.

Deputeti i LVV-së ka theksuar se kjo blerje përfshin armatim për mbrojtjen anti-tenk, dronë dhe pajisje të tjera me vlerë multi-milionëshe nga aleatët strategjikë të Kosovës.

Ai ka rikonfirmuar se Kosova ka bërë një kërkesë për blerjen e raketave “Javelin”, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së vendit.

“Me mburrje të plotë si qytetarë, jo si politikan e as si deputet, po e them se për herë të parë Kosova blen armatim të mbrojtjes tokësore, këtë rast edhe të mbrojtjes anti-tenk dhe pas dronëve, dhe blerjeve të shumta multi-milionëshe nga vende të ndryshme të aleatit tonë strategjik të cilët edhe na ndihmojnë pro meqenëse e kemi në qendër të vëmendjes mbrojtjen, besoj se është për të duartrokit pra kryeministri Kurti sepse rritja e buxhetit për 130 apo 140 për qind pra një buxhet multi-milionësh që tashmë i shkon drejtpërdrejtë FSK-së. Përben një lajm të mirë që Kosova po armatoset për t’u mbrojtur vet sepse përherë nën mëshirën e të huajve  ne nuk duhet të jemi sepse realisht ne duhet t’i shtojmë të gjitha kapacitet tona mbrojtëse”, ka deklaruar Rexhaj.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar për se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

Në një përgjigje dërguar REL-it, DASH-i ka thënë se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Më herët, lidhur me këtë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Dukagjinin, i cili e ka konfirmuar këtë kërkesë, duke theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit.

Komento: