Rexhep Selimi i drejtohet Hotit: Mbajeni mbledhjen e qeverive, në Kuvend të presim më 28 shtator

22:48 | 23 Shtator 2020

Selimi kërkon të mos anulohet mbledhja e dy qeverive shqiptare: E presim Hotin të raportojë në Kuvend më datën 28 shtator.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka reaguar pas shtyrjes së mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

Selimi ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që mbledhja e dy qeverive Kosovë- Shqipëri të mbahet më 25 shtator, ndërsa raportimi i tij të shtyhet për datën 28.

“Mbledhja e dy qeverive të Shqipërisë dhe e Kosovës në Shkodër është në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Si drejtues i Grupit parlamentar të LV, kërkues i raportimit të Hotit në Kuvend, publikisht e njoftojmë Hotin që mos të tërhiqet nga mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë të premten me 25 shtator. Ne e presim të hënën me 28 le të vi të raportojë në Kuvend”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti më herët ka njoftuar se është pajtuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që mbledhja e qeverive të shtyhet për datën 2 tetor, për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, ka thënë Hoti.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mbledhjen e përbashkët do ta mbajnë në Shkodër.

Komento: