
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për heqjen e taksës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka hedhur poshtë pretendimet se taksa ndali projekti për ndarjen e Kosovës.
Ai ka thënë se rreziku për ndarje ekziston ende.
Selimi ka thënë se Vetëvendosje mban qëndrimin e njëjtë ashtu sikur kur ishte në opozitë, se reciprociteti është masë e duhur, raporton KTV.
“Qëndrimin e cilit prej liderëve tuaj do e merrni sot për debat, atë të kryetarit të AAK-së për mosheqjen e taksës apo të kryetarit të PDK-së për heqjen e taksës. Qëndrim të njëjtë sikur sot kemi pasur gjatë gjithë legjislaturës. Të njëjtin qëndrim që e kemi pasur si opozitë e kemi edhe sot si qeveri pra reciprocitet. Pretendimet që taksa shmangu rrezikun nga ndarja nuk qëndrojnë. Rreziku ende ekziston”, ka thënë ai.
Ai thotë se nëse diçka e ka stopuar projektin për ndarjen e Kosovës janë pikërisht protestat e qytetarëve me moton një popull nuk i nënshtrohet një personi.
“Megjithë qëllimin që kishte tarifa nuk e ndali Serbinë as ndaj sulmeve të saj ndaj Kosovës. Serbia edhe sot po vazhdon fushatën për çnjohjen e Kosovës. Qytetarët e vendit presin që nga ne të veprojmë e këtë po e bën Qeveria Kurti por edhe votuesit tuaj presin që të jeni më të arsyeshëm e më konstruktiv”, ka thënë ai.