
Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës e iniciuar nga PDK-ja u bojkotua edhe njëherë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend javën e kaluar.
Kjo, sipas VV-së për arsye se partitë opozitare po e bëjnë për merita politike.
Mirëpo një gjë të tillë, po e mohon deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Ajo për Front Online ka thënë që kërkesat e tyre për policisë janë të sinqerta.
“Ne nuk e kemi politizu çështjen e policisë, mirëpo ajo çka është e rëndësishme ne i kemi qëndrimet më të sinqerta ndaj Policisë së Kosovës. Derisa LVV dhe Albin Kurti po krenohet me Policinë e Kosovës është edhe përgjegjësi e tij që të i rrit pagat, të jap pagat e rrezikshmërisë, shtesat dhe me thjeshta që mund të bëhen është që ata të kenë uniforma”, tha ajo.
Bytyqi thotë se Policia e Kosovës kanë nevoja të mëdha.
“Ne kemi shumë ankesa kur kemi pasë ankesa private, individuale, dhe ajo çka është më e rëndësishme çka janë anku edhe për veshmbathje, për çizmet që i kanë të shkyme, kjo është shumë e vërtetë. Qeveria a ka dalë në terren me i pa se sa janë të furnizuar mirë, por ajo çka është e rëndësishme që ata kanë nevojë për paga më të larta”, u shpreh ajo.