Visar Ymeri, deputet i PSD-së ka rikthet debatin për pagën minimale.
Ka thënë se pret që të mërkurën Kuvendi ta miratojë Rezolutën e propozuar nga PSD-ja.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Ymeri ka kujtuar se “debatin për pagën minimale e kemi zhvilluar në Kuvend me datën 17 prill 2019”.
“Atëbotë kemi propozuar edhe një tekst Rezolutë për t’u miratuar në Kuvend. Të mërkurën pritet të votohet kjo Rezolutë. Që prej se kemi ndërmarrë nismën për rritjen e pagës minimale, kjo çështje ka marrë jehonë dhe formë. Dhe është e natyrshme. Edhe sot e kësaj dite ka punëtorë në Kosovë që punojnë më shumë se orari i rregullt (8 orë në ditë e 5 ditë në javë) dhe paguhen vetëm 130 në muaj, ose 170 nëse janë mbi moshën 35 vjeçare. Është absolutisht e pakuptimtë se si mund të kundërshtohet rritja e pagës minimale”, ka thënë Ymeri.
“Kështu, duke e kundërshtuar rritjen e pagës minimale, mbrohet qëndrimi që një njeri mund të jetojë me 130 euro në muaj. Me këtë pagë minimale nuk mund të jetohet. Është obligim i yni, si deputetë përfaqësues, e si institucione publike e të Republikës, që të krijojmë kushte për jetesë në Kosovë. Rritja e pagës minimale është njëra prej këtyre kushteve”, ka shtuar më tej ai.
Ymeri tregon se me anë të një letre, u ka propozuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Republikës që të takohen nesër për ta harmonizuar tekstin e Rezolutës që të jetë e gatshme për t’u votuar në seancën e së mërkurës.
“Është tejet e rëndësishme të bëhemi bashkë për kushtet dhe të drejtat e punëtorëve të Kosovës”, ka thënë Ymeri.