
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë, përfshirë edhe paralajmërimin për zgjedhje të brendshme në të ardhmen e afërt.
Sipas njoftimit të PDK-së, kryesia ka vlerësuar se pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, përbën një sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e madh shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar gjatë viteve të fundit.
Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor.
“Masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve u vlerësua se kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati zgjedhor ishte i paracaktuar, duke ndikuar në dekurajimin e tyre për të dalë në votime”, vijon njoftimi.
Pavarësisht këtyre rrethanave, kryesia ka vlerësuar se PDK-ja mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përqindjen e përfaqësimit politik, me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar se gjatë periudhës së fundit partia është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirën dhe kohën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave të saj.
“Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së. Kryesia diskutoi mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor të fillojë në shtator 2026”, thotë tutje njoftimi.
Po ashtu, është ritheksuar edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së, si një proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të reflektuar mbi secilin mësim të nxjerrë nga procesi zgjedhor dhe për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe interesit shtetëror të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.