
Pas stabilizimit të gjendjes nga vërshimet, në Drenas është kthyer furnizimi me energji elektrike.
Kështu ka bërë të ditur KEDS përmes një njoftimi.
“Pas një angazhimi intensiv të ekipeve tona, nënstacioni 220/10 kV në Drenas është kyçur, pas dëmit të shkaktuar nga përmbytjet, për shkak të të cilave kishte qëndruar i shkyçur për rreth 4 orë. Aktualisht, vetëm 4 trafo-stacione 10(20)/04 kV mbeten jashtë funksionit në disa lokalitete, ku për shkak të akumulimit të madh të ujit dhe për arsye sigurie, ndërhyrja nuk ka qenë e mundur menjëherë”, thuhet në njoftim.
Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë në të gjitha komunat e prekura nga vërshimet.
“KEDS shpreh falënderime të veçanta për Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të MPB-së, Kryetarin e Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, Policinë dhe zjarrfikësit e komunës, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre të palodhur gjatë kësaj periudhe. Apel për qytetarët: Ju lutemi të respektoni masat e sigurisë në zonat e përmbytura dhe të raportoni çdo problem në numrat e emergjencës ose përmes linjave zyrtare të KEDS-it. Faleminderit për mirëkuptimin!”.