Rikthehet i nxehti ‘përvëlues’, këto temperatura po e presin Evropën

20:55 | 18 July 2019

Po rikthehet i nxehti afrikan.

Nuk zgjati shumë frymëmarrja që i dhanë këto ditë të freskëta Evropës së munduar nga një valë e pazakontë të nxehti për qershorin.

Termometri do të rritet sërish në kontinentin e vjetër, përfshirë dhe Ballkanin, ku temperaturat e larta do të rikthehen, ashtu si dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Më e rrezikuar duket se është sërish Franca, që po shkon drejt një vale të dytë përvëlimi.

Afshi i nxehtë do të nisë të ndihet atje që nga fundjava dhe deri të paktën, shumica e vendit pritet të përfshihet nga temperature që kapërcejnë 35 gradët Celsius.

Nga sa paralajmëron “MeteoFrance”, përcjell tch, e mërkura dhe enjtja e javës së ardhshme do të shënojnë pikun e vapës në këtë vend, me termometrin që pritet të tregojë 39 deri në 40 gradë Celsius.

Franca megjithatë nuk do të jetë e vetmja që do të bëjë llogaritë me të nxehtin përvëlues: javën e ardhshme, me një vapë mbytëse pritet të përballen edhe Gjermania, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Holanda, Spanja e Portugalia.

Në fund të qershorit, temperatura ekstremisht të larta për atë muaj u regjistruan në disa pjesë të Europës duke nisur nga Franca që shënoi 45 gradë Celsius, e ketë tendencë sipas sinoptikanëve, duket se do të ndjekë dhe korriku.

Ekspertët madje paralajmërojnë se i nxehti i madh ka shumë gjasë të vazhdojë përgjatë gjithë verës.

I nxehti rekord në Evropë dhe zona të tjera të hemisferës veriore, përfshirë disa pjesë të Amerikës së Veriut dhe Azisë, i detyrohet asaj që ata e quajnë rezonance e valëve planetare, që prodhon një mot të pazakontë në pjesë të ndryshme të globit, e që favorizohet sipas gjasave, nga ndryshimet klimatike të shkaktuara prej aktivitetit njerëzor.

Komento: