Rikthim sensacional? Vedat Muriqi gati të kthehet te Fenerbahçe

17:43 | 16 Janar 2026

Një emër i njohur është rikthyer në agjendën e Fenerbahçes në kërkimin për një sulmues. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të transferuar Aleksander Sörloth, Ademola Lookman dhe Christopher Nkunku, klubi verdheblu ka kthyer vëmendjen te ish-sulmuesi i tij, Vedat Muriqi, aktualisht pjesë e Mallorcas.

Fenerbahçe, skuadra më aktive në afatin e janarit, ka intensifikuar kërkimet për një “numër 9”. Sipas raportimeve nga Turqia, drejtuesit e klubit kanë kontaktuar agjentin e Muriqit, i cili ka veshur fanellën e Fenerbahçes në sezonin 2019/20.

Sulmuesi kosovar, 31 vjeç, është i hapur për një rikthim në Turqi, ndërsa thuhet se trajneri Tedesco ka dhënë miratimin për këtë lëvizje.

Hapi i radhës pritet të jetë takimi me Mallorcan për të diskutuar kushtet e transferimit. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet qëndrimi i klubit spanjoll.

Muriqi ka nënshkruar në fillim të sezonit një kontratë katërvjeçare dhe po kalon një formë shumë të mirë, me 11 gola në 18 ndeshje në La Liga.

Mallorca, e cila ka paguar 7.7 milionë euro për shërbimet e tij, raportohet se kërkon të paktën dyfishin e kësaj shume, ndërsa Fenerbahçe është e gatshme të ofrojë rreth 15 milionë euro. Drejtuesit verdheblu synojnë ta mbyllin sa më shpejt çështjen e sulmuesit për t’i dhënë Tedesco-s një skuadër të kompletuar dhe konkurruese.

Ditët në vijim priten të jenë vendimtare për të ardhmen e Vedat Muriqit dhe për mundësinë e rikthimit të tij te Fenerbahçe.

Komento: