Rinia e PDK-së aksion para qeverisë për 1 Maj: Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin

11:33 | 01 Maj 2024
rinia-e-pdk-se-aksion-para-qeverise-per-1-maj:-qeveria-kurti-nuk-e-ka-permbushur-premtimin

Rinia e Partisë Demokratike e ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës, sot në Ditën e Punëtorëve.

Nëpërmjet këtij aksioni, të rinjtë e PDK-së i kanë përkujtuar ekzekutivit ikjen e profesionistëve nga vendi.

Kryetarja Arbnora Salihu, tha se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre.

Sipas saj, ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetarë të kërkojnë një perspektive më të mire jashtë vendit.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashke me rininë e PDK-se jemi mbledhur para qeverise, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet i hidhur që na nxit të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë. Këtu bashke me mua janë shtatë të rinjë të cilët përfaqësojnë vetëm disa nga profesionet: Policët, Zjarrfikësit, Mjekët/Infermieret, Minatorët, Mësuesit, Ndërtuesit dhe Kamarierët”, tha ajo.

“Secili mban nga një valixhe në duar, si simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë tanë janë të detyruar të marrin rrugën e migrimit, dhe kjo flet shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët tanë dhe mundësitë që shtrihen përtej kufijve tanë, dhe jo brenda. Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre. Ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin tonë ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetare të kërkojnë një perspektive më të mire jashtë vendit, duke e shteruar burimin tonë më të çmuar, njerëzit tanë, rininë tonë”, tha e para e të rinjve të PDK-së.

Gjatë këtij aksioni u parashtruan edhe disa kërkesa:

Siguri në çdo vend pune;

Mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik;

Trajtim i drejtë dhe meritor në vendin e punës;

Kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë;

Vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur ata në Kosovë.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa. Këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë”, tha ndër të tjera kryetarja e Rinisë Demokratike, Arbnora Salihu.

Komento: