Rinisin përgaditjet nga Shqipëria për miqësoren, ka sërish ndryshime në listë

15:03 | 18 November 2022

Shqipëria rinis përgatitjet për miqësoren, ka sërish ndryshime në listë.

Kombëtarja shqiptare ka rinisur sot përgatitjet për miqësoren e fundit të nëntorit, atë ndaj Armenisë që luhet më datë 19 nëntor në stadiumin “Air Albania” e që nis në ora 17:30.

Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja grupi ka zbritur në fushën e kompleksit Tropikal në orët e paradites për të zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore, kryesisht me lojtarët që nuk u aktivizuan apo me ato që u aktivizuan vetëm pak minuta në ndeshjen e të mërkurës mbrëma ndaj Italisë. Ndërsa lojtarët titullarë kanë zhvilluar një seancë të reduktuar me ushtrime dhe pa ngarkesa fizike, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.

FSHF gjithashtu bëri me dije se për miqësoren me Armeninë do të ketë sërish ndryshime në listën e kombëtares. Sulmuesi Armando Broja, i cili doli nga loja i dëmtuar në ndeshjen me Italinë pas një problemi në kavilje, i është nënshtruar testeve mjekësore dhe pas konsultimeve me stafin mjekësor dhe stafin teknik, është konkluduar se ai nuk mund të jetë i gatshëm për miqësoren e së shtunës. Kësisoj, sulmuesi është larguar nga grumbullimi për t’u rikthyer pranë klubit të tij.

Sakaq, për ndeshjen e së shtunës nuk do të jenë të gatshëm as mesfushori Odise Roshi dhe sulmuesi Myrto Uzuni, të cilët janë larguar gjithashtu nga grumbullimi. Të dy lojtarët do të rikthehen me klubet sipas akordit paraprak mes palëve pasi janë të impenjuar këtë fundjavë në ndeshjet e kampionateve respektive ku aktivizohen.

Sa i takon pjesës tjetër të lojtarëve aktualisht nuk ka probleme me dëmtimet.

Komento: