Agim Ademi thotë se FFK është e gatshme për rifillim të kampionatit.
Pas më shumë se dy muaj pezullim, futbolli kosovarë do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i futbollit të Kosovës Agim Ademi ka folur në detaje rreth përgatitjeve për rifillimin e kampionatin, si dhe zhvillimin e ndeshjeve të mbetura deri në fund të këtij sezoni.
Ademi fillimisht u shpreh se FFK ka bërë të gjitha përgatitje në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe tanimë gjithçka është gati për të rifilluar.
“Shpresoj që fillimisht të kthehet futbollit dhe të ikë virusi. Natyrisht që ne i kemi bërë përgatitjet tona maksimale në mundësit tona, ato të cilat janë kërkuar nga udhëzimi. Sigurisht që do të respektohet udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit dhe normalisht jam i lumtur që klubet të gjitha i kanë bërë testimet fillimisht…Normalisht përveç kësaj që i kemi marrë masat duhet të ruhemi sepse shëndeti është i pari. Ne kemi marrë masa që të bëjmë edhe tunelin sigurisht e keni pa dezifektues i cili është një masë, jashtëzakonisht e madhe për dezifektim për të gjithë personat, të gjithë akterët që marrin pjesë në një ndeshje”, tha fillimisht ai.
Ademi tha se shpreson që edhe futbollistët të jenë përgatitur maksimalisht për rikthim dhe gjithçka deri në ndeshjen e fundit të shkoj ashtu siç e kanë planifikuar.
“Shpresoj që janë përgatit edhe futbollistët për rikthim dhe besoj që do të shkoj në rrjedhë normale gjithçka. Uroj që të në shkojë në mënyrë normale. Uroj që asnjë futbollist të mos lëndohet fillimisht dhe sigurisht që të mos preket nga ky virus sepse besoj që më shumë se virusi do të jetë ndonjë lëndim që mund ta ketë ndonjë futbollist për shkak se nuk është e lehtë një rikthim pas një dy muajshi të zorshëm realisht”, shtoi ai.
I pari i FFK-së, ka folur edhe për vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ku parashihet mbyllja e Ligës së Parë dhe të Dytë, duke mbyllur këto liga me renditjen momentale në të cilën janë.
Ai tha se ky vendim ka ardhur si pasojë e rekomandimit nga Ministria e Shëndetësisë, pasi ky institucion ka lejuar që vetëm Superliga t’i zhvillojë ndeshjet e mbetura.
“Kriteri kryesor ka qenë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ju e keni parë vendimin sigurisht e kemi bërë edhe publik sepse është vetëm Superliga, nuk kemi mundësi përkundër kërkesave që kemi bërë që futboll të luhet, meqë po lirohet Superliga të lirohen të gjitha ligat, por realisht nuk ka qenë mundësia dhe thjeshtë na ka lejuar vetëm për specifikat të cilat duhet të bëhen. Specifikat të cilat mund të bëhen është mund të jetë vetë një ndeshje, mund të jetë ajo e play-offit të cilën edhe atë e kemi shqyrtu, por jo si zakonisht në një vend domethënë për të përfunduar”, u shpreh ai.
FFK së fundmi ka vendosur edhe për reduktimin deri në 50% të pagave të punonjësve të saj, ku pikërisht Ademi konfirmoi një gjë të tillë duke bërë të ditur se gjysma e pagave të këtyre, së bashku me një ndihmë të madhe nga lojtarët e kombëtares A të Kosovës, janë dhuruar për ndihmë për familjet në nevojë.
“Ato para janë dhënë për ndihma, ju e dini që kemi bërë edhe një pako për ndihma, së bashku me futbollistët e ekipit A, futbollistët e kombëtares tonë të cilët i falënderoj jashtëzakonisht shumë për gatishmërinë e tyre, për çdo variant, çdo pikë e cila ne Federata e Futbollit e kemi bë inicimin për humanistet dhe për këto gjëra ndihmë në të gjitha aspektet kanë qenë të gatshëm dhe janë të gatshëm gjithmonë”, përfundoi ai.
Kujtojmë që futbolli në Kosovë do të rikthehet javën e ardhshme, saktësisht ditën e mërkurë do të luhet ndeshja e parë pas më shumë se dy muajsh, ndërmjet Ballkani dhe Feronikelit, ndërsa ditën e nesërme Prishtina do të presë në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadrën e Drenicës.