Rivali i Manchesterit planifikon transferimin e Ronaldos në janar.
Chelsea raportohet se po shqyrton mundësinë për të bërë një lëvizje për Cristiano Ronaldon në afatin kalimtar të janarit.
Sulmuesi portugez u përpoq të largohej nga Manchester Unitedi në verë, por nuk ia doli ta bënte një gjë të tillë.
Ai mbeti në “Old Trafford”, por është duke u përballur me një sezon të vështirë.
Ronaldo së fundmi edhe u përjashtua nga skuadra e parë, pasi kishte refuzuar të inkuadrohej si zëvendësues në ndeshjen kundër Tottenhamit.
“Djajtë e Kuq” thuhet se janë të përgatitur ta lënë 37-vjeçarin të largohet, por edhe janë gjithashtu të hapur për një huazim për pjesën e mbetur të sezonit.
Dhe, sipas “Sunday World”, Chelsea pritet të rikthejë sërish në janar interesimin për ish-sulmuesin e Real Madridit dhe Juventusit.
Trajneri i “Bluve”, Graham Potter, thuhet se nuk do të pengonte një transferim të tillë, ashtu siç kishte bërë ish-trajneri, Thomas Tuchel.
Kësisoj, Chelsea mund të përpiqet të nënshkruajë me Ronaldon në një marrëveshje afatshkurtër në janar, me mundësinë për ta zgjatur atë verën e ardhshme nëse do të jetë një sukses.