Rizvanolli krenohet me gjendjen e ndërmarrjeve publike, opozita ia përmend subvencionimet

14:25 | 25 Qershor 2024
rizvanolli-krenohet-me-gjendjen-e-ndermarrjeve-publike,-opozita-ia-permend-subvencionimet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është krenuar me raportin vjetor të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2022 por partitë opozitare e cilësuan si skandaloze dhe me gjendje të rëndë financiare. Si shembull u mor gjigandi metalurgjik, Trepça.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka thënë se 17 ndërmarrjet së bashku e kanë mbyllur vitin 2022 me një fitim prej mbi 101 milionë euro. Ndërsa opozita, përmendi gjetjet e auditorit dhe humbjen milionëshe gjatë këtyre viteve. Sipas tyre, Qeveria është dashur t’i shpenzojë miliona euro përmes subvencioneve si shkak i gjendjes së rëndë financiare.

Ministrja Artane Rizvanolli, tha se 9 nga 17 ndërmarrjet në vend e kanë mbyllur vitin 2022 me fitim financiar. Sipas saj, shumica dërrmuese kanë operuar me fitim operativ dhe shume prej tyre kanë ulur humbjet në krahasim me vitin paraprak.

“Ne kemi vazhduar që të përkrahim ndërmarrjet dhe kemi vazhduar që të kërkojmë llogari nga secila ndërmarrje. Kemi kushtëzuar ndihmën tonë me veprime konkrete për vendosjen e ligjshmërisë, zvogëlimin e shpenzimeve operative, rritjen e të hyrave dhe rikonstruktimit. Ndërmarrjet qendrore kanë angazhuar 10 mijë e 401 punëtore gjatë vitit 2022. Ndërsa në përgjithësi të 17 ndërmarrjet bashkë kanë mbyllur vitin me fitim financiar prej 101.5 milionë euro që është rreth 80 milionë euro më shumë se në vitin paraprak. Gjithsej 9 ndërmarrje nga 17 e kanë mbyllur vitin 2022 me fitim financiar. Shumica dërrmuese kanë operuar me fitim operativ dhe shume prej tyre kanë ulur humbjet në krahasim me vitin paraprak”, ka thënë ajo.

E kryetari i Komisionit, Ferat Shala, tha se raporti nuk përmban shifra të sakta të përkrahjes nga buxheti i shtetit.

“Unë nuk dëgjova asnjë shifër e as nuk e pash këto ndërmarrje sa janë subvencionuara nga shteti, sa mjete financiare fiks ka marr secila nga buxheti i i Kosovës gjatë periudhës se vitit 2022, qoftë këto që janë dal pozitiv, qoftë ndërmarrjet që realisht kanë përfomuar negativisht”, u shpreh Shala.

“Po edhe në total nuk kemi shifër se sa Qeveria i ka subvencionuar ndërmarrjet publike. Nuk e kemi në buxhet se në raport e kemi dhe tash ne duhet ta kemi pasqyre të qartë a kanë perfomuar pozitivisht apo janë lojë që na ja kemi dhënë paret po në anën tjetër po dalin numër pozitivë sa milionë euro qeveria e Kosovës i ka subvencionuar, në çfarë kategori kanë shkuar këto mjete të ndërmarrjes që janë me performanc pozitive dhe sa milionë euro kanë shkuar për ndërmarrjet që përformojnë negative”, u shpreh Shala.

Por ministrja Rizvanolli në rastet kur janë subvencionuar ndërmarrjet publike, ka përmendur ndarjen buxhetore për Telekomin e Kosovës. Ka thënë se kjo ka pasur për synim shtrirjen e rrjetit edhe në veri të vendit.

“Sa i përket subvencione duhet bërë një dallim kyç. Subvencionimi i ndërmarrjeve dhe aktivitete të ndërmarrjeve ose subvencionimi i blerjes së energjisë elektrike në bazë të krizës të cilat nuk kanë subvencion të ndërmarrjes. Sa i përket subvencioneve, këto janë në faqen 11-të te raportit për të gjitha ndërmarrjet qendrore të vitit 2018-2022. Në vitin 2022 kanë qenë 12 milionë euro prej te cilave Telekomi i Kosovës ka qenë subvencionuar për investime kapitale për shtrirje të rrjetit në gjithë vendit përfshirë edhe komunat veriore siç e përmenda 1 milion eurot”, u shpreh Rizvanolli.

Kritika për këtë raport ka edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj. Ai përmendi mungesën e ujit të pijshëm nga qytetarët dhe gjendjen siç e quajti ai të mjerueshme për shumicën e ndërmarrjeve publike.

“Sa i përket raportit mendoj që ka mangësi të shumta janë të cekura në mënyrë të përgjithshme dhe mungon analitika e çdo ndërmarrjeje publike dhe mund të them se sot kam prit mbas 3 vite me të vërtet të vini me shifra qe do të gëzohen qytetaret e Kosovës dhe edhe ne qe keni ardh me një vrull qe do të ndryshoni gjendjen në ndërmarrjeve publike. Afër 40 për qind nuk furnizohen qytetarët nga rrjetet e ujësjellësit dhe ju mund të shkruani çka doni, mund të lëvdoni sa të doni por gjendja aktuale e ndërmarrjes publike është e mjerueshme keq menaxhim dhe sa i përket pasqyrave financiareve”, tha Lekaj, teksa përmendi edhe opinionin e Auditorit për ndërmarrjet publike.

“I ke vetëm dy ndërmarrjet me opinion të pakualifikuara, ndërsa i ki tjerat jo e rezervuar dhe është nota me dobët e pasqyrave financiare. Unë befasohem që për tri vite vetëm dy ndërmarrje i ke me notë kaluese, tjerat i ke me një menaxhim pothuajse të dobët. Unë nuk e di pse s’keni ndërmarr hapa që të ndërrohen bordet e menaxhmenti por jo të vazhdohet kështu”, u shpreh Lekaj.

Por këto akuza i mohoi ministrja Rizvanolli. Tha se KRU “Gjakova” është përkrahur me 700 mijë euro për investime kapitale gjatë vitit 2022.

“Unë pajtohen që nuk jemi më së miri në bote por është më mirë që kur keni qenë ju. Sa i përket investimeve në ujëra i përmenda që janë bërë në përkrahje të Ministrisë. Në KRU ‘Gjakova’ i kemi pasur 700 mijë euro përkrahje për shpenzime kapitale në vitin 2022, përmes të cilave janë përkrahur për rrjetet e ujësjellësit”./EO

Komento: