
63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma brenda minierës, pas një defekti në pajisjet e furnizimit me energji elektrike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se, sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ndërkohë, ekipet teknike janë duke punuar për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Sipas Rizvanollit, po organizohet edhe dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente.
Menaxhmenti i Trepçës ndodhet në vendngjarje, ndërsa aty kanë qenë edhe njësitet e Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësit.