Rizvanolli për situatën në minierën e Trepçës: Se faktor është keqmenaxhimi, është gënjeshtër

09:26 | 13 February 2023

Rizvanolli sqaron situatën në minierën e Trepçës: Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi është gënjeshtër.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar në lidhje me situatën në Trepçë, në minierën e Statërgut.

Rizvanolli, ka thënë se me a pa qëllim po qarkullojnë shumë të pavërteta, njofton Klankosova.tv.

Ajo ka shtuar se “të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues”.

Postimi i plotë i saj:

Me a pa qëllim, po qarkullojnë shumë të pavërteta në lidhje situatën në Trepçë, në minierën e Statërgut. Kjo është vërteta:

Më 27.01.2023 pas mesnatës ka pasur prishje të kabllos së energjisë elektrike në mes horizonteve 5 e 7 të minierës, kabllo kjo 70 vite e vjetër.

Është reaguar menjëherë, qysh në 03:45 me rastin e ndodhjes së aksidentit. Menaxhmenti ka reaguar menjëherë duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera.

Me këto ndërhyrje dhe punën e vazhdueshme të punonjësve aty, niveli i ujit po ulet. Mirëpo, deri sa uji të largohet plotësisht xehet nuk mund të barten për në flotaction.

Ndërkohë, menaxhmenti është duke marrë masa shtesë për të vendosur kabllo alternative në tërë gjatësinë e kabllos nga horizonti 1 deri në horizontin 11, me gjatësi prej 1000m.

Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues.

Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës.

Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008. Një pjesë e madhe e tyre me gjasë thjesht u avulluan. Mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të jashtëligjshme. Tokat e Trepçës u dhanë me qira për eksploatim nga operatorët privatë. Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite.

Trepça nuk u auditua nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012, derisa Kryeministri Albin Kurti nuk kërkoi auditim të saj në vitin 2021 dhe ky auditim i performancës u realizua. Ndërkohë, Njësia e Auditimit të Brendshëm në ndërmarrje ishte degraduar për vite të tëra për të pamundësuar evidentimin e parandalimin e keqpërdorimeve.

Trepça nuk ka problem me pronësi – publike apo private. Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhepse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa tek disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë.

Por, ky kapitull është mbyllur njëherë e përgjithmonë me qeverisjen tonë. Si çdo insititucion e ndërmarrje tjetër publike, jam e bindur që Trepça e ka kaluar tashmë periudhën e saj të errët dhe ajo ka një të ardhme të ndritshme. Siç kemi thënë që nga fillimi i mandatit, Qeveria ynë është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjet publike në rrugën e tyre të ligjshmërisë e ringjalljes, por që kjo përkrahje kushtëzohet nga përkushtimi i tyre për ta eliminuar krimin e korrupsionin përbrenda, e për ta rritur performancën.

Gjatë këtyre dy viteve kemi parë këtë përparim tek Trepça. Është rritur prodhimi e të hyrat, e janë ulur shpenzimet operative. Janë miratuar një varg rregullore që vendosin rend e disciplinë. Ne si Qeveri e kemi përkrahur Trepçën me subvencione për t’u përballur me krizën energjetike dhe me investime kapitale. Mirëpo, ende kemi shumë punë përpara, bashkë, e do t’i rrijmë në krah Trepçës në rrugëtimin e saj. Tani është koha ta përkrahim Trepçën edhe me investime në teknologji të re – investime këto që nuk janë bërë që 50 vite e që do ta rrisin efiçencën e prodhimit, performancën operative e finaciare të ndërmarrjes, e do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.

Pavarësisht që disave u janë prishur llogaritë e interesat, e kjo frymë e re mund të mos u pëlqejë, Trepça dhe ndërmarrjet tjera publike DO TË BËHEN E PO BËHEN, në funksion të qytetarëve e të shtetit të Kosovës, e në të mirë të punonjësve të tyre që punojnë palodhshëm e me nder!

Komento: