Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është e pasaktë që të lidhet subvencionimi i pajisjeve efiçiente me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik pas problemeve të fundit me rrymën në vend.
“Ka pasë keqinformim. Nuk po them nga mediat, por në opinionin publik. Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvenciomit është menduar çdo detaj, prandaj që ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet efiçiente përveçse nëse jeni konsumator që është duke u ngrohur me energji elektrike me kalda, me pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër, nëse i shihni kriteret e skemës, këto kanë qenë kriteret e skemës”, tha ministrja pas një takimi me përfaqësuesit e KOSTT dhe KEDS.
Ajo tha se përfituesit e këtyre skemave kanë konsumuar 19% më pak mesatarisht sesa në vitin paraprak.
Rizvanolli tha se është rritur numri i konsumatorëve të rinj gjatë tri vjetëve të fundit.
“Numri i ndërtimeve të reja, numri i konsumtarorëve të rinj ka qenë tejet i lartë. 60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem përgjatë viteve të fundit dhe 8500 biznese. Të lidhësh subvencionimin e pajisjeve me ngritjen e ngarkesës thjesht është e pasaktë”.
Ajo shtoi se subvencionimi është bërë për familjet që kanë përdorur energji elektrike dhe e kanë pasë të vetmin opsion energjinë elektrike.