Roma planifikon kontratë të re për Dybalan
Paulo Dybala tashmë është duke e dëshmuar veten te Roma, ashtu që klubi italian është duke punuar në kontratën e tij të re.
Argjentinasi i dha fund qëndrimit shtatëvjeçar te Juventusi në verën që lamë pas dhe iu bashkua Giallorossëve si transferim i lirë duke nënshkruar kontratë trevjeçare.
Përkundër problemeve me lëndime, 29-vjeçari është rikuperuar dhe e ka rikthyer formën e tij.
Siç transmeton Calciomercato .com, Roma planifikon ta aktivizojë një klauzolë në kontratën e tanishme të Dybalas që do t’ia rriste pagën dhe do ta hiqte klauzolën për prishjen e kontratës.
Rroga e tanishme vjetore e sulmuesit është 4.2 milionë euro neto dhe me këtë rast do t’i rritej në gjashtë milionë euro neto.
Në bazë të kontratës së tanishme, Dybala mund të largohet nga Roma nëse ndonjë klubi i huaj paguan vetëm 12 milionë euro, ndërsa klubet italiane duhet të paguajnë 20 milionë euro.
Me rishqyrtimin e kontratës dhe rritjen e pagës, ky opsion do të hiqej, por duhet që të gjitha palët të pajtohen.