Roma mposhtet nga Atalanta dhe e humb pozitën e katërt

23:23 | 24 Prill 2023

Pas tri fitoreve radhazi në Serie A, Roma ka pësuar humbje duke e humbur kështu edhe pozitën e katërt në tabelë.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të, skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho pësoi humbje në udhëtim ndaj Atalantas.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Gewiss” përfundoi me rezultatin 3:1. Për skuadrën nga Bergamo ishte fitorja e parë pas dy ndeshjeve; një humbjeje dhe një barazimi.

Mario Pasalic (39’), Rafael Toloi (74’) dhe Teun Koopmeiners (84’) shënuan në fitoren e vendasve.

Golin e vetëm për romakët e shënoi Lorenzo Pellegrini (83’).

Atalanta pas kësaj fitore ka 52 pikë dhe pozicionohet në vendin e shtatë në tabelë.

Roma tani renditet e pesta me 56 pikë, aq sa ka edhe Milani në pozitën e katërt. Interi është i gjashti me 54 pikë, që nënkupton se gara për top-katërshe vazhdon të jetë tejet “e nxehtë”.

Xhiro e ardhshme në Serie A mund të sjellë ndryshime tjera. Roma do të përballet me Milanin, Interi me Lazion, kurse Atalanta me Torinon.

Komento: